Sugjerime për fjalorin e madh të gjuhës shqipe
Nga diskutimet paraprake rreth fjalorit të ri të gjuhës shqipe u përmblodhën këto çështje të cilat mund të vlejnë si sugjerime: 1. HEQJE 1.1 EMRA TË PËRVEÇËM TË FIRMAVE DHE MARKAVE…
Nga diskutimet paraprake rreth fjalorit të ri të gjuhës shqipe u përmblodhën këto çështje të cilat mund të vlejnë si sugjerime:
1. HEQJE
1.1 EMRA TË PËRVEÇËM TË FIRMAVE DHE MARKAVE NDËRKOMBËTARE
Një nga risitë e këti fjalori është përfshirja e disa emra të përveçëm të firmave e markave ndërkombëtare të lidhura me teknologjinë e informacionit. Disa shembuj janë:
GUG/ËLL,~LLI
GUGËLL/OJ
GUGËLL/OHET
LINUKS,~I
MAKINTOSH,~I
Një shpjegim që është dhënë për këtë vendim është ndjekja e kriterit të shpeshtisë së hasjes së këtyre fjalëve në korpuset që janë përdorur për hartimin e fjalorit. Nëse është ndjekur kriteri i shpeshtisë për futjen e fjalëve më sipër lind pyetja pse nuk janë futur edhe fjalë të ngjashme dhe po aq të shpeshta në përdorim si:
MAJKROSOFT (Microsoft)
SAMSUNG (Samsung)
GALAKSI (Galaxy)
EPËLL (Apple)
ADOB (Adobe)
FOTOSHOP (Photoshop)
dhe sa e sa emra të tjerë (ndoshta disa mijëra) të firmave e markave ndërkombëtare. Përfshirja e mijëra fjalëve të tilla në fjalorin e gjuhës shqipe nuk është e arsyeshme, ndaj një qëndrim i qartë dhe i thjeshtë mbi këtë çështje do të ishte heqja nga fjalori si dhe nxjerrja e një udhëzimi për t’i shkruar në tekste siç shfaqen në gjuhën e origjinës, forma me të cilën njihen ndërkombëtarisht. Për të qartësuar që janë fjalë të huaja, fjalët e tilla mund futen në thonjëza ose të shkruhen me shkrim të pjerët si dhe shoqërohen herën e parë të përdorimit në tekst nga mënyra se si shqiptohen e sqaruar në kllapa. Mund të kemi për shembull në tekste fare mirë fjali si:
Motori i kërkimit “Google” (shqipto: gu’gëll) përbën një shërbim mjaft të njohur…
dhe jo:
Motori i kërkimit GUGËLL përbën një shërbim mjaft të njohur…
USB,~JA m. sh. ~Ë, ËTË 1. Pajisje kompjuterike e vogël që shërben për të ruajtur informacion. 2. shkurt. inf. (Universal Serial Bus) Portë në një kompjuter ku lidhen pajisje të jashtme për të shkëmbyer shpejt të dhënat.
Pavarësisht përdorimit të gjerë në gjuhën e folur, kuptimi i parë si emër i kësaj fjalë duhet hequr sepse është i pasaktë dhe i panevojshëm. Pajisja në fjalë quhet teknikisht ÇELËS USB (angl. USB key) dhe dallon nga ndërfaqja përkatëse. Kjo pajisje praktikisht po del nga përdorimi. Sugjerojmë që të jepet vetëm kuptimi i dytë si shkurtesë.
2. KORRIGJIME
2.1 PRURJE QË FILLOJNË ME E-
Dy fjalë të tilla të shtuara janë:
E-LIBËR
Duket që nuk është ndjekur një kriter i qartë për futjen apo përshtatjen e tyre. Normalisht duhet të kishim ose E-LIBËR dhe E-POSTË (gjithësesi, të sqarohet që mund të përdoret edhe “e-mail” në thonjëza ose me shkrim të pjerët, njësoj si fjalët e tjera të huaja, p.sh. ato të sqaruara te kreu 1.1), ose E-BOOK dhe E-MAIL. Duhet pasur parasysh që ka fjalë të tjera të tilla që mund të shtohen në fjalor, si:
E-TREGTI (tregti elektronike)
zgjidhja më e përshtatshme do të ishte që të shkruhen me E- dhe temën të shqipëruar, pra “book” në libër, “mail” në postë, “commerce” në tregti, etj. Ky kriter është ndjekur edhe te FMGJSH 2022 ku kemi E-POSTË [1].
3. SHTESA
BLLOKVAR/G,~U m. sh. ~GJE, ~GJET Sistem kriptografik i shqendërzuar që ruan veprime financiare ose shuma kriptovalutash në formën e një vargu blloqesh numerike të shpërndara në kompjutera të ndryshëm.
FJALËNDAJ vep., ~VA, ~RË kal. Ndaj një njësi teksti në fjalë bazuar te hapësirat midis fjalëve duke përdorur një program kompjuterik. fjalëndaj fjalinë, paragrafin, dokumentin etj.
FJALËNDARËS,~I m. sh. ~, ~IT tek. inf. program kompjuterik që përdoret për të ndarë njësitë e tekstit në fjalë duke u bazuar te hapësirat midis fjalëve.
FJALËNDARJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET tek. inf. veprimi i ndarjes së një njësie teksti në fjalë duke përdorur një fjalëndarës.
GERMËVAR/G,~U m. sh. ~GJE, ~GJET tek. inf. bashkësi karakteresh shkronjore, numrash ose simbolesh që ndjekin njëra-tjetrën dhe që në kodin e programeve kompjuterike shkruhen brenda thonjëzave.
GJURMËSFER/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT tek. inf. pajisje kompjuterike që përfshin një sferë të rrotullueshme me të cilën përdoruesi kontrollon lëvizjen e kursorit në ekran.
MËSIMOR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET njësi (libër, artikull, udhëzues, etj.) ose veprimtari (mbledhje a takim) që shërben për të mësuar apo për t’u aftësuar në një drejtim të caktuar profesional.
NDËRPAMJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Fotografi a vizatim me tekst e figura që krijohet në kompjuter e shihet në ekranin e tij dhe që më pas projektohet në mur apo në ndonjë pëlhurë të bardhë.
NËNVAR/G,~U m. sh. ~GJE, ~GJET tek. inf. Varg shkronjash, numrash dhe simbolesh të tjera që nxirret nga një varg tjetër më i gjatë tek i cili bën pjesë.
HARDUERIK,~E mb. tek. inf. Që lidhet me harduerin, pra pjesët përbërëse fizike të pajisjeve kompjuterike.
SOFTUERIK,~E mb. tek. inf. Që lidhet me sistemin operativ ose me softuerët e kompjuterit; që përbëhet prej softuerësh ose që funksionon duke përdor softuer.
SHPËRHAPËS,~E mb. fiz. Që lidhet me dukurinë e shpërhapjes në fizikë.
VIDEOTHIRRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET tek. inf. Komunikim me zë dhe pamje, i cili kryhet në kohë reale midis dy apo më shumë personave nëpërmjet telefonave ose pajisjeve kompjuterike të lidhura në internet
VLERËNIS vep., ~A, ~UR kal. tek. inf. I jap një vlerë fillestare një ndryshoreje të një programi kompjuterik ose të një barazimi matematikor.
VLERËNISJ/E,~A, f. sh. ~E, ~ET tek. inf. Veprimi i vendosjes së një vlerë fillestare te një ndryshore e një programi kompjuterik ose te ndryshore e një barazimi matematikor.
4. PËR DISKUTIM
DEKODER,~I m. sh. ~Ë, ~ËT tv., inf. Pajisje e veçantë, që përdoret për të kthyer një sinjal të koduar në një formë që është e kuptueshme; shkodues. Dekoder digjital tokësor (satelitor).
Pavarësisht përdorimit të gjerë në gjuhën e folur, mund të jetë më mirë që kjo fjalë të jepet vetëm në formën DEKODUES, njësoj si te FMGJSH 2022.
DRAJVER,~I m. sh. ~A, ~AT inf. Program i vogël kompjuterik që lejon sistemin operativ të komunikojë me një pajisje si printer, tastierë, kartë zëri etj. Instaloi driverin e printerit. Shumica e pajhisjeve kanë drajverat e tyre.
Pavarësisht përdorimit të gjerë në gjuhën e folur, kjo fjalë e huaj mbulohet mjaft mirë në kuptim nja fjalët PILOT, MANOVRUES. Sugjerojmë që të konsiderohet heqja e fjalës DRAJVER dhe shtimi i shpjegimit si kuptim shtesë te fjalët PILOT dhe/ose MANOVRUES.
MAUS,I m. sh. ~A, ~AT kompj. Miush
Pavarësisht përdorimit të gjerë në gjuhën e folur, sugjerojmë që të shikohet mundësia e heqjes së kësaj fjale duke lënë vetëm fjalën MIUSH e cila ka hyrë që në FGJSSH 2006 dhe është e mjaftueshme për mbartjen e kuptimit përkatës.
BULLIZËM, BULLIZOJ, BULLIZIM, BULLIZUAR
Pavarësisht përdorimit të gjerë në gjuhën e folur, sugjerojmë që të shikohet mundësia e heqjes së këtyre fjalëve dhe e shtimit si kuptime te fjalë shqipe si:
NGUC, NGUCJE, NGUCUR, NGUCAKEQ etj.
REFERENCA
[1] https://gjuhashqipe.com/apps/fmgjsh3/133635
Në një fazë të mëvonshme do të mblidhemi për diskutime të tjera më të gjera. Faleminderit edhe një herë kujtdo mori pjesë.
