Misioni

Illyrian Brains është një rrjet që bashkon profesionistë shqiptarë nëpër botë, duke krijuar dhe zhvilluar një strukturë sociale të bashkatdhetarëve përmes aktiviteteve kulturore, shoqërore dhe shkencore.

IB vlerëson harmoninë dhe bashkëpunimin, sfidon konceptet e vjetra, fuqizon komunitetet lokale dhe mbështet arritjet e gjithësecilit.

IB nuk është organizatë politike — as e brendshme, as e jashtme, as nacionaliste apo e çfarëdo lloji tjetër — dhe as fitimprurëse: nuk angazhohet në asnjë aktivitet që synon të gjenerojë të ardhura. Nuk është gjithashtu organizatë fetare apo spirituale.

Rrjeti nuk i promovon këto tematika, pasi mund të shkaktojnë përçarje mes pjesëmarrësve — kur synimi është bashkimi i tyre. Brenda kësaj kornize, çdo gjë tjetër është e pranueshme dhe në liri të plotë për pjesëmarrësit.

Rrjeti ka besim tek profesionistët shqiptarë dhe tek aftësia e tyre për të ndikuar pozitivisht në shoqëritë ku jetojnë. Illyrian Brains është një ftesë për të ndarë sfida dhe suksese me miq të rinj që flasin gjuhën tënde.

Fokus

S1

Strategjia e Zhvillimit të Rrjetit

  • Mbështetje për Qytetet — PRIORITET
  • Zhvillimi me Qytete të Reja
  • Bashkëpunimi mes Qytetesh
  • Zhvillimi i Profesionistëve
  • Integrimi i Profesionistëve
  • Zëri i Ekspertëve
  • Ndërkombëtarizimi i Bizneseve
  • Transferimi i Njohurive
S2

Strategjia Organizative

  • OJF si Mbështetje — PRIORITET
  • Regjistrimi i Qyteteve si OJF
  • Bashkëpunime me OJF Shqiptare
  • Mbrojtja e Pavarësisë së Rrjetit
S3

Strategjia Operacionale

  • Mbështetja e Ekipeve të Rrjetit — PRIORITET
  • Mirëmbajtja e Infrastrukturës së Rrjetit
  • Vazhdimësia Operacionale
  • Angazhimi i Stafit të Paguar
S4

Strategjia Financiare

  • Tarifat e Anëtarësimit — PRIORITET
  • Financimi i Programeve
  • Fondi i Nismave
  • Transparenca dhe Përgjegjësia Financiare

Informacione

Rrjeti

Bashkësia e qyteteve dhe nismave që krijojnë mundësi për profesionistët.

Vendimmarrja

Vendimmarrja për ndryshime në rrjet është e bazuar në konceptin e propozimeve. Propozimet për qytetet trajtohen nga qytetet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

  • Propozim publik (në Ide/Propozime) — për cilindo pjesëmarrës të IB, që ka një mendim se çfarë mund të jetë e nevojshme apo e dëshirueshme për rrjetin/komunitetin.
  • Propozim i brendshëm (në OJF/Propozime) — për proçese te brendshme të funksionimit të IB: vizionin, vendimmarrjen, mjetet, e të tjera.

Ndaj propozimin tënd: forum.illyrianbrains.org/c/ide/propozime/66

Qytetet

Qytetet janë baza e rrjetit. Aty formohen miqësitë dhe krijohen mundësitë për të çuar përpara një pjesë të komunitetit. Çdo qytet apo grup tematik ka autonominë të përzgjedhë tema të eventeve që janë më të vlefshme për pjesëmarrësit e tyre lokalë. Qytetet aktive kanë autonomi vendimmarrjeje në pikat si më poshtë:

  • në përzgjedhjen e anëtarëve dhe ekipit të tyre organizator,
  • në tematikën që duhet diskutuar në evente,
  • në të ftuarët specialë, e dhënë që shmangen figura që nuk përfaqësojnë vlerat e rrjetit,
  • në organizimin e eventeve argëtuese si hiking, volleyball, picnic, e të tjera.

Sidoqoftë, pritet që qytetet të kontribuojnë gjithashtu në rrjet, dhe të ruajnë drejtimin dhe vlerat e rrjetit. Për çështje të ndryshme mund të kërkohet konfirmim nga Bordi, për të trajtuar apo sqaruar situata sensitive.

Raporte Vjetore

Për të komunikuar arritjet e rrjetit dhe për të ndarë me anëtarët gjendjen aktuale dhe prioritetet e afërta, raporti vjetor i rrjetit bëhet çdo verë, nisur nga 2025. Të gjitha raportet mund të gjenden në forum: forum.illyrianbrains.org/tag/raport-vjetor

Takime të Përgjithshme

Takimet IB-Global sjellin së bashku anëtarët për të diskutuar çështjet më problematike, për të caktuar vizionin, dhe për të ndarë sugjerime për përmirësime. Bëhen zakonisht çdo vit. Më shumë info në forum: forum.illyrianbrains.org/tag/ib-global

Udhëzues

Në evente ruhen parimet që mbështesin komunitete të shëndetshme.

Përfshirja e gjerë

Përfshirja është baza e rrjetit IllyrianBrains. Ne besojmë se rritja dhe bashkëpunimi ndodhin më mirë kur njerëz me rrugëtime të ndryshme profesionale, familjare dhe kulturore bashkohen për të ndarë dije, përvoja dhe pyetje të hapura.

Vlerësojmë çdo kontribut, veçanërisht nga:

  • Studentë, që sjellin energji, ide të reja dhe dëshirë për të ndërtuar ura mes akademisë dhe praktikës.
  • Familje të reja, që sjellin perspektiva të çmuara mbi menaxhimin e kohës, përkushtimin dhe përparësitë në një fazë të ndjeshme të jetës.
  • Profesionistë në tranzicion, që guxojnë të riformulojnë rrugën e tyre — duke kaluar nga një fushë në tjetrën, ose duke rifilluar pas një pauze.
  • Personat me rrënjë shqipfolëse, edhe nëse nuk e ndjejnë shqipen si gjuhën e parë — tek ne, origjina është pikë lidhjeje, jo kriter përjashtimi.
  • Pjesëmarrës në trajnime profesionale, që kërkojnë rrjete ku mund të zhvillohen më tej dhe të ndajnë dijen në rritje.

Si e ndërtojmë përfshirjen? Përfshirja është një proces i vazhdueshëm që e mbajmë të hapur. E fillojmë me një organizim sa më transparent dhe një përfaqësi që përpiqet të pasqyrojë larminë e zërave brenda komunitetit. Çdokush që jep kontribut — qoftë një pyetje në forum, një mendim i ndarë në takim, apo një përvojë personale — është pjesë aktive e këtij rrjeti dhe e vlerësojmë hapur.

Për ata që ndodhen në kushte më sfiduese, përpiqemi të ofrojmë mbështetje përmes materialeve praktike apo nismave që e bëjnë pjesëmarrjen më të lehtë dhe më të mundshme. Dhe ky komunitet ka pasur fatin të mbledhë njerëz nga shumë fusha të ndryshme, që vijnë me perspektiva unike — për ne, kjo është arsyeja pse ky rrjet ka mundësinë të ndryshojë diçka modestisht në jetën e pjesëmarrësve.

Sugjeroni përmirësime: forum.illyrianbrains.org/t/perfshirja-sa-me-e-gjere/557

Ftesë e hapur

Pjesëmarrja në eventet e rrjetit është e hapur për të gjithë shqiptarët profesionistë në çdo vend të botës. Shpresojmë që ky grup profesionistësh do të krijojë ndryshim për komunitetet shqiptare në vijim.

Pjesëmarrje pa kosto

Çdo event i rrjetit është pa kosto për pjesëmarrësit nga ana e rrjetit. Në raste rezervimesh që kërkojnë një kosto fillestare, kjo do të ndahet në mënyrë të qartë nga organizatorët.

Kodi i sjelljes

Në Illyrian Brains, duam që çdo anëtar të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mirëpritur — në çdo bisedë, takim apo event.

Ngacmimi nuk tolerohet. Kjo përfshin komente fyese për gjininë, identitetin gjinor, moshën, orientimin seksual, aftësinë e kufizuar, pamjen fizike, përkatësinë etnike apo fetare, zgjedhjet teknologjike, si dhe përfshirjen e imazheve seksuale në hapësira publike, frikësimin e qëllimshëm, ndjekjen, regjistrimet pa leje, ndërprerjet e qëllimshme, prekjet e papërshtatshme dhe çdo lloj vëmendjeje të padëshiruar me natyrë seksuale.

Çdo person që kërkohet të ndalojë sjelljen ngacmuese, pritet ta bëjë këtë menjëherë. Nëse dikush sillet në mënyrë ngacmuese, organizatorët e rrjetit mund të ndërmarrin çdo veprim që e shohin të arsyeshëm — përfshirë paralajmërimin apo përjashtimin nga aktivitetet e komunitetit, apo dhe lajmërimin e institucioneve përkatëse.

Nëse ju po përjetoni ngacmim, vëreni që dikush tjetër është në një situatë të tillë, ose ke shqetësime të ngjashme — mos hezitoni të kontaktoni një nga anëtarët e organizimit. Organizatorët do të bëjnë ç’të jetë e mundur për të ndihmuar për të siguruar që ndiheni të sigurt gjatë gjithë aktivitetit.

Ky kod zbatohet në çdo event apo aktivitet të lidhur me Illyrian Brains.

Sugjeroni përmirësime: forum.illyrianbrains.org/t/kodi-i-sjelljes-per-ib/558