Rreth nesh
Kodi i Sjelljes
Parimet që mbajnë komunitetin të sigurt, në evente dhe në grupet e komunikimit.
Illyrian Brains është një rrjet profesionistësh. Shpesh eventet tona kanë një frymë sociale që është një mënyrë e mirë për t'u njohur dhe për të forcuar komunitetin, por kjo nuk duhet ta zbehë etikën profesionale.
Mosmarrëveshjet e zakonshme, pa shkelje të kodit të sjelljes, zgjidhen mes pjesëmarrësve, me pjekuri e respekt. Organizatorët janë vullnetarë me kohë të kufizuar; ndërhyjnë kur çështja e kërkon vërtet.
Çdo anëtar duhet të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mirëpritur, sa herë merr pjesë në rrjet. Kjo është baza mbi të cilën ndërtohen komunitetet lokale dhe jo vetëm.
Ngacmimi dhe sjelljet joetike nuk tolerohen, në asnjë formë. Kjo përfshin:
- ndërprerje të qёllimshme të bisedave apo takimeve,
- komente ose sjellje fyese për gjininë, identitetin gjinor, moshën, orientimin seksual, aftёsinė e kufizuar, pamjen fizike, përkatėsinė etnike apo fetare, ose zgjedhjet teknologjike,
- përhapja e akuzave kundër anëtarëve të tjerë,
- ndarja e mesazheve personale të dikujt tjetër, pa leje,
- frikësim, ndjekje, ose regjistrime pa leje,
- çdo vëmendje e padëshiruar me natyrë seksuale,
- prekje të papërshtatshme apo ngacmime të ngjashme.
Kush kërkohet të ndalojë një sjellje ngacmuese, duhet ta bëjë menjëherë. Kur kjo nuk mjafton, organizatorët mund të ndërhyjnë - siç shpjegohet në pjesën "Të drejtat dhe përgjegjësitë" më poshtë.
Nëse përjetoni ngacmim, vëreni se dikush tjetër ndodhet në një situatë të tillë, ose keni thjesht shqetësime të ngjashme - mos hezitoni të kontaktoni një organizator. Jemi këtu për t'u siguruar që të gjithë ndihen mirë në komunitetin tonë.
Ky kod zbatohet në çdo event dhe aktivitet të Illyrian Brains, si dhe në grupet e komunikimit të komunitetit sepse respekti duhet të jetë i pranishëm kudo ku bashkohet komuniteti.
Të drejtat dhe përgjegjësitë
Si zbatohet kodi i sjelljes në grupet e komunikimit të komunitetit.
Të drejtat e organizatorëve
Organizatorët e qytetit mund të marrin masa përjashtuese ndaj një personi nga grupet e komunikimit dhe eventet e mëtejshme të rrjetit kur shkel sjelljet e listuara më sipër, ose raste të ngjashme që cenojnë respektin dhe sigurinë e grupit.
Në vendim marrin parasysh llojin e shkeljes, pjesëmarrjen në evente, kontributin ndaj komunitetit, dhe keqpërdorimin e kanaleve të komunikimit për qëllime që nuk lidhen me misionin e rrjetit.
Në varësi të rëndësisë së shkeljes, personi mund të:
- Paralajmërim: personi njoftohet për shkeljen, pa u hequr nga grupi.
- Periudhë ftohjeje: personi hiqet nga grupi për 2 javë, me mundësi rikthimi nëse pranon rregullat e komunikimit.
- Përjashtim: personi hiqet nga grupi pa afat kthimi.
Heqja zbatohet në të gjitha grupet e komunikimit të personit, jo vetëm në atë ku ndodhi shkelja. Vendimi dhe arsyet kryesore mbahen shkurtimisht, në rast se kërkohet rishikim më vonë.
Të drejtat e pjesëmarrësve
Çdo pjesëmarrës mund:
- t'u kërkojë organizatorëve të ndërhyjnë, kur një anëtar tjetër shkel rregullat e sjelljes,
- të presë që kërkesa e tij të trajtohet njësoj si një shkelje e identifikuar drejtpërdrejt nga organizatorët,
- të kundërshtojë një vendim që e prek - siç shpjegohet më poshtë.
Menaxhimi i hapësirës së përbashkët
Grupet e komunikimit janë hapësirë e përbashkët: mesazhe të shkurtra, në temë, me ton profesional. Rregulli i përgjithshëm: respektojmë të gjithë në grup; dhe kur nuk jeni i sigurt, kontaktoni organizatorët lokalë.
Çfarë nuk lejohet:
- politikat në vendet e origjinës (p.sh. Shqipëri, Kosovë) - burim i shpeshtë konflikti,
- promovimi i partive politike - as lokale, as të vendit të origjinës,
- tema fetare apo spirituale,
- reklama të përsëritura apo promovim i tepërt personal/biznesi,
- çdo temë tjetër që mund të përçajë komunitetin.
Çfarë lejohet, por me kujdes:
- kontributi në vendet e origjinës (konfirmimi i besueshmërisë),
- fundraising për çështje sensitive (por jo ngarkimi i të gjithë komunikimit),
- diskutime rreth politikës lokale apo integrimit (pa promovim partiak).
Këto tema priren të ngatërrohen me ato të ndaluara më sipër; prandaj kërkojnë grupin e vet, krijuar siç shpjegohet më poshtë - jo hapësirën e përbashkët të qytetit.
Si krijohet një grup i ri:
- propozohet tek organizatorët e qytetit,
- tema qëndron larg politikës, fesë apo fitimit,
- mbështetet nga të paktën 10 pjesëmarrës ose 10% e grupit kryesor.
Organizatorët e krijojnë grupin; tema të veçanta kërkojnë konfirmim paraprak. Për çdo pyetje apo paqartësi, konfirmoni me organizatorët lokalë.
Konfidencialiteti
Çdo person ka të drejtë të raportojë një shkelje, apo të ngrejë një shqetësim, pa frikë nga pasojat.
Nëse raportimi shoqërohet me prova (mesazhe, screenshot, etj.), rasti ndiqet më lehtë - por çdo situatë vlerësohet veçmas, sipas rrethanave të veta.
Çdo raportim trajtohet me konfidencialitet: detajet ndahen vetëm me organizatorët e qytetit dhe, kur nevojitet, me Bordin — kurrë publikisht në grup.
Hakmarrja ndaj një personi që raporton një shkelje konsiderohet vetë një shkelje e kodit të sjelljes.
E drejta për kundërshtim
Nëse vendimi është i padrejtë, personi i prekur e ngre së pari me organizatorët lokalë.
Nëse çështja nuk zgjidhet në këtë nivel, mund të përshkallëzohet te Bordi, duke shkruar në illyrianbrains@gmail.com me detaje konkrete për situatën.
Vendimi final mbetet në dorën e organizatorëve lokalë, që ruajnë të drejtën të menaxhojnë komunitetin e tyre; Bordi mund të vërë në pyetje vetëm mënyrën nëse reagimi ka qenë proporcionale ndaj situatës, jo vendimin në vetvete. Si rrjet profesionistësh, kur një shkelje e etikës së komunikimit nuk shpjegohet qartë nga personi i përfshirë, vendimi i vullnetarëve respektohet.
